Kirurgjia dentare

Kirurgjia

Kirurgjia dentare realizon ndërhyrjet kirurgjikale në lidhje me dhëmbët, nofullat dhe indet e buta të gojës.

Kirurgjia dentare është degë e stomatologjisë që realizon ndërhyrjet kirurgjikale në lidhje me dhëmbët, nofullat dhe indet e buta të gojës. Kirurgjia dentare merr pjesë në shumë çrregullime, të cilat nuk arrijnë të zgjidhen me metodat konservative. Ne Kirurgji orale bëhet heqja e dhëmbëve, ekstraksione të dhëmbëve të pjekurisë me shkallë të lartë vështirësie ose dhëmbë të retinuar (të pa dalë ose të mbuluar në kockë), heqje e kistave, kirurgji preprotetike. Në Kirurgji parodontale realizohen ndërhyrje me motodiken PRGF (plazma e pasuruar me piastrinë që shpejton shërimin e pllakave kockore) dhe me kirurgji piezoelektrike, mbulim i qafave të zbuluara të dhëmbëve, zgjatje e koronave klinike të dhëmbëve të abraduar, ngritje e sinusit maksilar.

Problemet që trajtohen nga Kirurgjia Dentare

Heqja e Dhëmbëve. Heqja e dhëmbëve në rrugë kirurgjikale është procedura më e zakonshme e kirurgjisë dentare. Heqja e dhëmbëve është opsioni i fundit që duhet të merret në konsideratë, pasi kanë rezultuar të paefektshme opsionet e tjera.

Heqja e dhëmbëve është e nevojshme në këto raste:

  • Dhëmbi është prishur në një gradë të lartë.
  • Nëse pacienti pëson ndonjë traumë dhe dhëmbi është dëmtuar ose thyer në mënyrë të pariparueshme.
  • Dhëmbi ka infeksion të rëndë me abces dhe ciste si dhe në rastet kur ai shkakton infeksione kronike.
  • Dhëmbi pengon korrigjimin e nofullave apo të fytyrës.
  • Nëse nevojitet hapësira e nevojshme për drejtimin e dhëmbëve.
  • Nëse pacienti është prekur nga një formë e rëndë e sëmundjeve periodontale.
  • Dhëmbi lëviz për shkak të problemeve me gingivat apo shkaqeve të tjera.
  • Dhëmbi është i keqpozicionuar.
  • Dhëmbi ka frakturim në rrënjë.
  • Dhëmbi ka mbetur në nofull.
  • Nëse ka probleme me dhëmballët e pjekurisë.